Avokati i Rexhep Selimit, Eric Tully, ka deklaruar se Zyra e Prokurorisë së Specializuar nuk ka treguar qartë se kush është autori i materialeve që përdori për akuzat ndaj Selimit.
Tully ka përmendur një fotografi të prezantuar nga ZPS, ku Selimi shihet i veshur me uniformë të zezë. Sipas tij, Prokuroria pretendoi se kjo tregonte se Selimi kishte ndryshuar pozitën e tij. Megjithatë, avokati thekson se nuk ka asnjë provë që ky ndryshim uniforme të ketë pasur lidhje me ndonjë ndryshim detyre.
“Pjesa tjetër e provave të ZPS-së për lidhjen e Selimit me policinë përbëhet nga disa fotografi ku Selimi shihet i veshur me uniformë të zezë. Prokuroria tha se të paktën në qershor 1999, Selimi kishte ndryshuar uniformën e vet në të zezë dhe spekuloi se kjo tregonte një ndryshim në detyrat dhe përgjegjësitë e tij. Megjithatë, Prokuroria nuk ka vërtetuar se vetëm fakti që dikush vesh një uniformë të zezë apo ndonjë uniformë tjetër është tregues që personi i përket policisë ushtarake. Kjo mund të jetë e vërtetë për një polici apo ushtri si UÇK-ja, që nuk kishte rregulla strikte për uniformat”, tha Tully.
